Sport

Nistelrooy ishte larguar nga Manchester United shkaku i Ronaldos

Legjenda e Manchester United, Ruud van Nistelrooy, ishte detyruar të largohej nga Manchester United, pasi që e kishte zemëruar Cristiano Ronaldon, dhe shkaku i qëndrimit të tij në përgjithësi, sipas një ditari të ri të publikuar nga Alastair Campbell.

Campbell kishte pasur raport të ngushtë me trajnerin e atëhershëm të United, Sir Alex Ferguson, dhe pohon që trajneri i Djajve të Kuq nuk ishte i lumtur me holandezin, deri në momentin kur ai u largua më 2006.

“Atij iu duk si i vetë-përqendruar dhe nuk ishte i sigurt se çfarë të bëjë me të”, shkruan Campbell.

“Kulmi kishte qenë kur ai i kishte thënë Cristiano Ronaldos që e ka gjetur një baba të ri në Carlos Querioz (asisteni i Ferguson), shumë shpejtë pasi që babai alkoolik i Ronaldos kishte vdekur”, vijon ai.

“Carlos kërkoi nga ai që të shfaqë respekt, dhe ai tha që nuk e respekton askënd aty”.

“Ai më pas kishte kërkuar falje, por Cristiano nuk e pranonte atë”.

“Alex e kishte dërguar van Nisterlooy-n në shtëpi kur kishte dëgjuar më vonë për këtë”.

Van Nistelrooy ishte larguar në fund të stinorit për të shkuar në Real Madrid, ku u ribashkua me Ronaldon më 2009 kur portugezi kishte arritur në Santiago Bernabeu.