“Mos na bllokoni” është motja e protestës së nesërme të thirrur nga Bashkim Fazliu, që do të mbahet gjatë kohës sa Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe një seanca si përpjekje që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi.
Fazliu, i cili ishte kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt, ka kërkuar mbështetjen mediale për protestën e nesërme.
“Kërkojmë nga Ju mbështetje mediale për protestën e nesërme MOS NA BLLOKONI, duke shpërndarë ftesën dhe duke sensibilizuar opinionin për rëndësinë e protestës së nesërme dhe të tjerave që do të pasojnë deri në ratifikimin e Demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e tij.
Protestë e njejtë u organizua edhe javën e kaluar përderisa Kuvendi tentoi ta ratifikojë demarkacionin, por pak njerëz iu bashkëngjitën asaj proteste.
Seanca për demarkacionin pritet të mbahet nesër në orën 10:00. Gjatë javës së kaluar Kuvendi dështoi dy herë ta hidhte në votim pasi nuk i kishin votat e mjaftueshme.