Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, nesër do të flasë në konferencën “Model European Union Kosova 2017”, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 qershor.
Përmes një njoftimi për media nga Instituti Cilësor për Hulumtime, Analiza dhe Trajnime (iCHAT), thuhet se do të bëhet hapja e ditës së konferencës 6-ditore “Model European Union Kosova 2017”, në të cilën do të mbajë fjalim edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, transmeton Gazeta Express.
Gjithashtu është bërë e ditur se fjalim do të mbajë edhe kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetari i PDK’së, Kadri Veseli.
Pjesë e kësaj konference janë edhe Arsim Bajrami, ministër i arsimit, Mimoza Ahmetaj, ministre e integrimit europian, Xhevat Bajrami, drejtor i departamentit për rini në MKRS, Osman Shahini – sekretar gjeneral në Ministrinë e Diasporës.
Gjithashtu, gjatë konferencës do të bëhet edhe votimi mbi dy draft rezolutat për luftimin e krimit të organizuar – terrorizmin dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
Dimë që Lunacek ditë më parë u kishte bërë thirrje qytetarëve që të mos votohen njerëzit të cilët nuk i garantojnë Republikës së Kosovës, se do t’i plotësojnë dy kushtet e mbetura për liberalizim, atë demarkacionin dhe luftimin e krimit të organizuar.
Ceremonia e cila është bërë në bashkëpunim me “BETA e.V” do të fillojë nesër nga ora 10:00.