Regjimi i Koresë së Veriut është duke festuar atë që ata e quajnë “Dita e Diellit” sot, një festë kombëtare e tyre pas vendosjes së komunizmit.
Mes tensioneve të larta në zonë, ku SHBA-të kanë vendosur flotën më të fuqishme të tyre të Paqesorit në ujërat e Koresë së Jugut, regjimi i Kim Jong Un-it ka zhvilluar paraditen e sotme me orën lokale një ndër paradat më të mëdha të viteve të fundit duke shpalosur të gjithë arsenalin ushtarak të tyre, përfshirë edhe raketat “Taepodong-2” me një rreze veprimi rreth 6 700 km, shkruan Albeu.com.
“Kim Jong Un u shfaq në podium i qeshur dhe përshendeti turmën duke shkaktuar ekzaltimin e tyre”., raportojnë mediat ndërkombëtare, ndërkohë që situata duket tepër e ndezur në rajon dhe Korea e Veriut ka paralajmëruar një tjetër test me armë bërthamore sot, ç’ka mund të sjellë edhe reagimin e flotës së SHBA-ve.
Ndërkohë, Kina ka dërguar rreth 150 000 ushtarë në kufi me Korenë e Veriut, në pritje të përshkallëzimit të situatës.