Në një nga masivet pyjore të Librazhdit ka ndodhur mrekullia. Ndërsa Administrata e Zonave të Mbrojtura dhe zjarrfikësit po punonin për të shuar një vatër zjarri, në qiell janë grumbulluar retë dhe pikërisht në atë vend ka filluar të bjerë shi.
Fenomeni i çuditshëm natyror ka ndodhur në pyllin e fshatit Rrajcë dhe nuk bëhet fjalë për një pyll dosido, por për pyllin me drurë ahu 300 vjeçar që u shpallën pjesë e trashëgimisë botërore të natyrës para pak javësh.
Aksioni për fikjen e zjarrit është ndjekur nga vetë Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda. Ai është shprehur se gjatë këtyre ditëve është punuar pa pushim për shuarjen e zjarreve. Por pikërisht në këtë rast ka ndihmuar natyra.
“Zoti bën mrekullinë përpos punës tonë pa pushim, sot rreth orës 16.30 bie shi vetë tek vendi që ne po e izolonim atë përfundimisht. Vënia e zjarrit është një akt kriminal dhe mund ta quajmë një terrorizëm mjedisor”, ka shkruar në Facebook, Brazhda.