Skuadra e Arsenalit po përgatitet për një ‘pastrim’ gjatë kësaj vere, sipas The Sun.
Të sakrifikuarit e Mikel Artetës pritet të jenë treshja e sulmit: Alexandre Lacazette, Pierre-Emeric Aubameyang dhe Mesut Ozil, përcjell lajmi.net
Të tre, Ozil, Lacazette dhe Aubameyang, ishin ndër emrat më të lakuar për largime të mundshme nga ‘Emirates Stadium’ gjatë afateve kalimtare të kaluara.
Nëse për Aubameyang arsyeja e largimit mund të jetë interesimi i Barcelonës, për Lacazette dhe Ozil largimi mund të ndodh si shkas i formës së dobët të treguar nga të dy gjatë këtij sezoni.
Ozil, në 15 ndeshje në Premierligë, ka realizuar vetëm një asist. Një statistikë e tillë tregon se turko-gjermani po kalon ndër sezonet më të vështira për Topçinjtë. Shterpësia e playmaker-it gjerman ka vazhduar edhe në kompeticione tjera. Lojtari ka regjistruar vetëm 2 asiste në të gjitha garat për Arsenalin këtë sezon.
Numra aspak më të mirë nuk ka as Lacazette. Në 18 paraqitje të tij në elitën e futbollit anglez sulmuesi ka tundur rrjetën vetëm 5 herë duke dhuruar dhe 2 asiste. Sipas statistikave, ky është sezoni më i dobët i francezit nga koha që ka mbërritur në ‘Emirates Stadium’. Në të dy sezonet paraprake Lacazette kishte shënuar 14 gola në ligë, shifër kjo vështirë e arritshme në këtë sezon.
Me garën për titull edhe matematikisht të humbur, Arsenali do të tentojë të luftojë në dy fronte: në Premierligë për të siguruar një vend në top katërshe dhe në Ligën e Evropës, fitimi i së cilës do ta dërgonte direkt në fazë të grupeve në Ligën e Kampionëve./Lajmi.net/