Rajon & Botë

Ndodh ajo që pritej në daljen e Britanisë nga BE-ja

Pas negociatave intensive të cilat arritën kulmin me takimin e djeshëm të presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe kryeministres britanike Therese May, Komisioni vlerësoi se është arritur përparim i mjaftueshëm në negociata mbi largimin e Britanisë së Madhe nga BE, gjë që mundëson fillimin e fazës së re të negociatave mbi marrëdhëniet në të ardhmen.

“Komisioni Evropian sot i ka rekomanduar Këshillit Evropian (shefat e shteteve apo të qeverive të vendeve anëtare) konstatimin se është arritur përparim i mjaftueshëm në fazën e parë të negociatave. Tani Këshilli Evropian në takimin më 15 dhjetor duhet të vendosë se a ekziston përparim i mjaftueshëm, gjë që do të mundësonte që negociatat të kalojnë në fazën e dytë”, ka publikuar të premten në mëngjes Komisioni Evropian, transmeton gazetametro.net.

Të premten në orën 7 të mëngjesit ka arrit në selinë e Komisionit Evropian kryeministrja e Britanisë së Madhe Therese May në takim me Juncker’in, dhe para kësaj, gjatë natës kanë vazhduar negociatat intensive, si ato telefonike, apo të drejtpërdrejta në mes të Komisionit dhe qeverive britanike dhe asaj të Irlandës.

Në negociata, si çështje më e rëndë ishte gjetja e zgjidhjes për kufirin në mes të Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Në kumtesën e Komisionit thuhet se Mbretëria e Bashkuar “e pranon situatën unike në ishullin e Irlandës dhe se janë ndërmarrë detyrimet e rëndësishme për ta shmangur kufirin e fortë”.

“Këto janë negociata të mundimshme, por tani kemi bërë depërtim. Jam i kënaqur me marrëveshjen e drejtë me Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë presidenti i Komisionit Juncker.

the authorE B