Sport

“Ndeshja kundër Kosovës ishte më shumë shaka se sa një futboll serioz”

Mesfushori i Kroacisë, Luka Modric thotë se FIFA tregoi se nuk i interesojnë lojtarët, transmeton zeri.info

Këto deklarata ylli i Real Madridit i bëri pas fitores 1-0 të dielën ndaj Kosovës.

Ndeshja ishte pezulluar të shtunën në minutën e 22-të pas shiut të rrëmbyeshëm që ishte duke rënë në Zagreb dhe stadiumi “Maksimir” nuk ishte në nivelin e duhur për lojë.

Ndeshja u luajt një ditë më vonë dhe u fitua nga kroatët falë golit të Domagoj Vidas në minutën e 74-t.

Modric ka shprehur frustrimin e tij pas vendimit që loja të vazhdonte të dielën.

“Natën e kaluar (të shtunën) na informuan se ndeshja nuk do të luhet. Sigurisht, ti shkon të flesh pak më vonë dhe më pas në mëngjes të zgjojnë nga gjumi siç bëjnë në ushtri”, deklaroi Modric.

“Sigurisht, ne nuk kishim përgatitjet e duhura për ndeshjen. FIFA tregoi se nuk i interesojnë lojtarët, e vetmja gjë e cila iu interesonte ishte që ndeshja të luhej. Të shtunën, ishte shumë e vështirë që të luhej në atë fushë, por askujt nuk i interesonte. Nëse do t’iu interesonte do ta shtynin ndeshjen Turqi-Kroaci për të mërkurën. Të shtunën nuk doja që ndeshja të vazhdonte dhe referi më tha se ishte kundër lojës që prej fillimit. Në ato 20 minuta, kishte më shumë situata për ndonjë video komike se sa futboll serioz”, shtoi mesfushori./Zëri