Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, tha se Kosova do të mund t’i mbulojë mungesat e mëdha që ka për ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë, vetëm nëse bën lojë ekipore.
Në një konferencë për media, një javë para ndeshjeve të vlefshme kualifikuese për Euro 2020, Challandes ka thënë se asnjë ekip s’është i njëjtë kur ka mungesa të mëdha.
“Nuk jam budalla. E di sa vështirë është me këto mungesa. Edhe Franca po të luante pa Mbappen, Griezmannin, Pogban, Kanten e Hernandez as ajo s’do të ishte e njëjtë. I njëjti parim vlen edhe për Kosovën. Na mungojnë pesë lojtarë të përbërjes së parë”, ka thënë ai.
“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje. Sigurisht, kam zgjedhur të gjej zgjidhje. Duhet t’i jap ekipit besimin lojtarëve që të punojnë shumë. Mendoj se nuk mund të gjej zgjidhje, duke zëvendësuar lojtarë kokë më kokë. Kemi vetëm një zgjidhje. Është reagim kolektiv. Punë e përbashkët. Duhet të jemi kompaktë, jo vetëm në fushë, por me mentalitetin tonë. Të jemi luftarakë. Shumë të fortë në kokë. Është puna ime të provokoj në një masë lojtarët që do të paraqiten ndaj një prej skuadrave më të forta në botë si Anglia dhe ndaj kombëtares jashtëzakonisht të fortë si Republika Çeke”, ka thënë tutje ai.