Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Me këtë rast ai ka theksuar se arsimi cilësor, avancimi i dijes dhe përgatitja bashkëkohore profesionale janë parakushte themelore për zhvillimin e vendit tonë, transmeton Indeksonline.
Sipas Mustafës institucionet duhet të punojnë më shumë për të krijuar kushte duke përkrahur në çdo formë sistemin e arsimit dhe edukimit.
Ky është postimi i plotë:
Të dashur nxënës dhe mësimdhënës të Kosovës, Urimet më të përzemërta për fillimin e vitit të ri shkollor në shkollat fillore dhe të mesme. Arsimimi cilësor, avancimi i dijes dhe përgatitja bashkëkohore profesionale janë parakushte themelore për zhvillimin e vendit tonë. Krijimi i brezave të rinj, që arritjet e tyre në të gjitha fushat, i bazojnë në dije dhe aftësi intelektuale, na garanton mirëqenie e zhvillim afatgjatë. Institucionet tona duhet të punojnë më shumë për të krijuar kushte duke përkrahur në çdo formë sistemin e arsimit dhe edukimit, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në vlerësimet ndërkombëtare për vendin. Urime dhe ju priftë e mbara!