Vetëm dy ditë na ndajnë nga ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Islandës. E derisa vëmendja e kosovarëve është përqendruar në Shkodër, aty ku shumëçka do të vendoset për fatin e dy përfaqësueseve kundërshtare, dëshira për fitore në Kosovë sa vjen e rritet.
“Dardanët’ po synojnë fitoren. Por për fitore i duhet përkrahje.
Këtë mendim e ka edhe Ismet Munishi, trajneri i KF Dritës së Gjilanit.
“Kritikuesi” më i madh i Albert Bunjakut ka vendosur ta përkrah këtë të fundit, për çfarë thotë se Kosova ka nevojë për përkrahje dhe jo për kritika në ndeshjen kundër Islandës.
“Preferencat se cilët lojtarë duhet të jenë në fushë, janë të ndryshme. Por tani përfaqësuesja ka nevojë për përkrahje, s’ka nevojë për kritika”, ka theksuar në një bisedë për Kolona.info, Munishi.
I pyetur se me cilët lojtar ai do ta formonte ekipin ideal në përballje me Islandën, trajneri i KF Dritës ka veçuar tre, ndërsa formacionin e plotë në këtë ndeshje ‘ia beson’ Bunjakut.
“Është ndeshje e rëndësishme për Kosovën. Unë sot s’do të jap një listë se si duhet të prezantohet përfaqësuesja, pasi që kjo i takon selektorit dhe jo mua. Shpresoj që në këtë ndeshje do të dalim shumë më mirë. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjet e fundit, besoj që nuk do të përsëriten. Unë personalisht s’do ta nisja ndeshjen pa Milot Rashicën, Bernard Berishën e Vedat Muriqin”, ka shtuar tutje Munishi.
Ai ka treguar se është optimist për këtë ndeshje. E kjo për faktin se siç thotë, selektori e njeh Islandën dhe kjo është përparësi.
“Jam optimist në këtë ndeshje. Selektori e njeh mirë Islandën, ndërsa ata nuk na njohin shumë mirë neve. Kjo është përparësi për neve”.
Munishi gjithashtu ka prekur në veçanti rolin e Kosovës në këtë ndeshje.
“Ne duhet të mbrohemi dhe topin t’ua lëmë atyre…në kundërzbritje ata janë më të ‘plagosur”.
“Pas ndeshjes me Finlandën kemi qenë në eufori, dhe tri ndeshjet e radhës na kanë vendosur me këmbë në tokë. Tash është koha që me Islandën të jemi më të fokusuar në lojë”, ka shtuar për fundi Ismet Munishi.