Seanca e gjykimit të 10 personave për kontrabandim kryesisht në Itali të të miturve nuk u zhvillua për mungesë të gjyqtares.
Në gjykimin kundër dhjetë të akuzuarve për kontabandim me emigrantë, kryesisht të mitur nën moshën 18-vjeçare, mungesa e gjyqtares së çështjes bëri që seanca të anulohej dhe e njëjta të shtyhej për një datë të pacaktuar.
Gjyqtarja e kësaj çështjeje kishte qenë Nora Bllaca – Dula, por emërimi i saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit, ishte arsyeja e anulimit të kësaj seance deri në caktimin e një tjetër gjyqtari, i cili do të merret me këtë rast.
Lutfi Hoxhaj, Fehmi e Riza Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimçaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi dhe Agron Meçi po akuzohen nga prokuroria se kanë kryer vepra penale të ndërlidhura me krim të organizuar dhe kontrabandë me emigrantë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, Lutfi Hoxhaj në rolin e organizatorit ka themeluar, mbikëqyrur, organizuar e menaxhuar dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal.
Në aktakuzë thuhej se Hoxhaj në bashkëpunim dhe koordinim të akuzuarit tjerë: Fehmi e Riza Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimçaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi, Agron Meçi dhe (Sami Hakaj, Mico Puzoviq, Saimir Kotarja dhe Mentor Dautaj të cilët gjenden në arrati), që nga fillimi I vitit 2016 e gjer më 27 tetor 2016, me dashje dhe me dijeni kanë organizuar kontrabandimin me emigrantë të shtetasve kosovarë.
Aktakuza sqaron se viktima të këtij kontrabandimi me emigrantë kanë qenë kryesisht të mitur të moshës nën 18 vjeçare dhe shtetas tjerë kosovarë që janë dërguar në shtetet e BE-së, shumica nga të cilët kanë përfunduar në qytetin Udine të Italisë.
Sipas aktakuzës, viktimat e kontrabandimit me emigrantë janë dërguar nga Serbia në Hungari, ose nga Serbia në Kroaci, ndërsa në aktakuzë thuhet se është vërtetuar që 43 të mitur janë transportuar nëpërmjet këtyre rrugëve.
Aktakuza bën me dije se nga vetë viktimat e kontrabandimit me emigrantë, apo familjarët e tyre, për dërgim në shtetet e BE-së janë dhënë nga 3 mijë deri në 3500 euro.
“Nga grupi kriminal gjatë rrugëtimit të tyre në Bashkimin Europian të miturit janë rrezikuar, gjatë kalimit të kufirit në këmbë, pasi që janë detyruar të ecin me orë të tëra natën ku janë maltretuar duke ecur në kushte të vështira atmosferike, në shi, të ftohtë, nëpër terren të papërshtatshëm”, thuhet në aktakuzë.
Në këtë proces gjyqësor, Lutfi Hoxhaj, Riza e Fehmi Hakaj, Selim Kryeziu dhe Fazli Gashi akuzohen për krim të organizuar në lidhje me kontrabandimin me emigrantë.
Hoxhaj si organizator, themelues, mbikëqyrës dhe menaxhues i grupit kriminal ngarkohet edhe për krim të organizuar.
Kurse Adem Podrimçaku, Elvjer Aliji, Vladan Radomiroviq, Agron Meçi dhe Florin Dragjoshi akuzohen për kontrabandim me emigrantë.