Në Kosovë janë të regjistruar mbi 150 mijë biznese, por jo të gjitha nga këto janë aktive ose që paguajnë obligime tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës, pasi në këtë të fundit figurojnë vetëm gjysma e tyre. Sallonet e ondolimit janë vetëm disa nga bizneset që funksionojnë lirshëm në Kosovë, pa kontribuar as edhe një cent në arkën e shtetit.
Kanë mungesë të arkave fiskale, nuk mbajnë çmimore të saktë, dhe manipulojnë si të dëshirojnë me klientët. Janë këto sallonet e bukurisë që me raste kushtojnë më shumë se rroga mesatare e një punëtori në vendin tonë. Fitore Karasniqi, kliente në disa nga sallonet e bukurisë në kryeqytet, thotë se asnjëherë nuk është pajisur me kupon fiskal, madje nuk ka parë as arkë fiskale në ato sallone që, sipas saj, kanë qenë mjaft të frekuentuara dhe me çmime të larta shërbimi.“Frizura, grimi edhe thonjtë më ka kushtuar 60 euro, por nuk më ka lëshuar kupon fiskal, duke e pasur parasysh që nuk ka pasur as arkë fiskale edhe pse ka qenë një sallon mjaft i madh, arkë fiskale nuk ka pasur.”Për mungesën e pajisjeve fiskale në shumë nga sallonet e ondulimit e pohon edhe Administrata Tatimore e Kosovës, edhe pse sipas saj, çdo biznes është i obliguar të pajiset me arkë fiskale, mirëpo në këto biznese mjaft fitimprurëse për pronarët një gjë e tillë nuk po gjen zbatim.
Valentina Bytyçi-Sefa, zyrtare për Komunikim me media, deklaroi për Radio Kosovën se çdo biznes që realizon të hyra ekonomike, përfshirë edhe sallonet e bukurisë, janë të obliguar të pajisen e numër fiskal.“Edhe sallonet e bukurisë si çdo biznes tjetër në Kosovë që realizon të hyra ekonomike në bazë të ligjit 0322 është i obliguar të pajiset me numër fiskal. Nuk jemi të kënaqur me atë se sa sallonet e bukurisë deklarojnë, por ne po punojmë shumë, e sidomos në sezonin e verës jem 20 orë në terren”, tha Bytyçi.Administrata Tatimore e Kosovës e sheh qytetarin si indikatorin kryesor në informimin për bizneset që nuk posedojnë pajisje fiskale, pasi, sipas tyre, janë vetëm 300 inspektorë tatimorë në terren dhe e kanë të pamundur monitorimin e secilit biznes që nuk lëshon kupon fiskal.