Jose Mourinho ka ngritur në qiell futbollistin e tij Antonio Valencia.
Nuk është hera e parë që Mourinho jep deklarata të cilat komentohen shumë në opinion. I tillë ishte edhe prononcimi i tij rreth futbollistit më të mirë të botës për krahun e djathtë të mbrojtjes.
‘The Special One’, mendon që më i miri në këtë pozitë është futbollisti me të cilin punon te United, Antonio Valencia që sapo ka vazhduar kontratën me klubin nga Old Trafford, transmeton KosovaPress.
I pyetur nëse kontrata e re për Valencian është një shpërblim për formën e tij të mirë, Mourinho është përgjigjur: “Nuk mendoj se është shpërblim pasi që nuk e shoh nga ajo perspektivë. Unë vetëm e di se ai është lojtari më i mirë në pozitën e mbrojtësit të djathtë”.
“Nuk ka më të mirë në këtë pozitë se Valencia, prandaj ne duhet t’i mbajmë në skuadër më të mirët. Është një privilegj për ne që të kemi në ekip një lojtar të mirë dhe mbi të gjitha një njeri të mirë”, ka përfunduar portugezi.
United këtë javë luan ndaj Stoke City të Xherdan Shaqirit.