Sport

Mourinho tregon nëse Ibrahimovic do të luajë në derbi ndaj Manchester Cityt

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, ka lënë të kuptohet se Zlatan Ibrahimovic mund të jetë startues në derbin e javës së ardhshme ndaj Manchester Cityt.

United do të përballet me liderin, Manchester Cityn, të dielën, dhe do të kërkojë ta ngushtojë epërsinë e krijuar nga skuadra e Pep Guardiolas në krye të tabelës së Premier Ligës, transmeton Express.

Ndërkohë, Ibrahimovic do të mungojë në ndeshjen që United e zhvillon sonte kundër CSKA Moskës, por Mourinho ka sugjeruar se 36-vjeçari mund të rikthehet me kohë për t’u përballur me liderin e top ligës angleze.

“Zlatan nuk është i lënduar. Nganjëherë ai ka nevojë për shumë punë në zonën muskulore, e cila i përkrah gjunjët që kishin probleme. Ai do të mungojë nesër [të martën], por do t’i rikthehet punës normale pas CSKA-s”, ka thënë Mourinho.

Ibrahimovic u rikthye nga lëndimi i gjurit në ndeshje kundër Newcastle United, dhe që atëherë ka bërë tri paraqitje, kundër Baselit, Brightonit dhe Watfordit.

Megjithatë, suedezi ende nuk i ka kompletuar 90 minuta lojë. /Express/