Sport

Mourinho në ndjekje të rekordit të Ferguson

Gjatë prezantimit si trajner i ri i Manchester United, Jose Mourinho nuk ka fshehur dëshirën që të shkruajë historinë me këtë klub, ashtu siç ka bërë Sir Alex Ferguson.

Presioni dhe puna e vështirë që e pret në muajt në vazhdim Mourinhon, nuk është se po e shqetëson atë, pasi që ai i ka vënë vetes objektivat për stinorin e ri.

Madje portugezi synon që të thyejë edhe rekordet e legjendarit Ferguson, që ka arritur t’i thyejë në kohën sa ka udhëhequr ‘Djajtë e Kuq’, transmeton KosovaPress.

“Nuk mund ta fshehë dëshirën që kam për të thyer rekordet e Sir Alex”, ka thënë portugezi para gazetarëve.

“Kjo nuk është një punë e ëndrrave, pasi që tani është realitet. Të udhëheqësh Unitedin, është një punë që çdo kush do ta dëshironte, por jo të gjithë mund ta arrijnë. Unë e kam këtë mundësi”, deklaroi Mourinho.

Gjatë periudhës së artë me Manchester United, Alex Ferguson ka fituar 13 tituj kampioni në Angli, pesë FA Kupa, katër Kupa të Ligës, dy Liga të Kampionëve dhe një titull të Kampionatit Botëror të Klubeve.