Rikthehen zërat që flasin për dëshirën e Realit të Madridit për të blerë kartonin e David De Geas nga Manchester Unitedi.
Ai që përpiqet të frenojë gjithçka në këtë histori është trajneri i “djajve të kuq”, Jose Mourinho, që nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e portierit të përfaqësueses spanjolle.
“Asnjë klub, që dëshiron të ketë më të mirët në radhët e saj, nuk ka ndërmend të largojë elementët më të vlefshëm të tij. Kjo është e pakuptimtë”, tha Mourinho. “Nëse dëshiron që të luash në nivelet më të larta, duhet të sjellësh në skuadër lojtarët më të mirë, siç bëmë me Pogba, Matiq apo Sanchez, e të pengosh largimin e atyre që dallohen më shumë”, shtoi më tej ai.
Por, De Gea nuk është i vetmi që është vënë në shënjestrën e klubit madrilen. Kampionët e Spanjës dhe të Europës kanë një tjetër emër në listën e tyre të dëshirave, bëhet fjalë për Thibaut Courtois të Chelseat, transmeton TCH.
Sipas të përditshmes britanike “Independent”, klubi iberik është gati të ofrojë 110 milionë euro për kartonin e portierit belg të Chelseat.