Sport

Mourinho kritikon Federatën e Anglisë

Jose Mourinho gjen edhe njëherë arsye për t’u ankuar.

Trajneri i Manchester United nuk është i kënaqur me orarin e ngjeshur që skuadra e tij e ka në javët në vazhdim, ku është në garë për katër trofe.

‘Djajë e Kuq’ do të sfidojnë Chelsean në datën 13 mars (ditë e hënë) në kuadër të Kupës FA dhe vetëm tre ditë më pas, pra të enjten, do të zbresin sërish në fushë për Ligën e Evropës, që Mourinho synon gjithashtu ta fitojë.

“Jam i befasuar që vendimi merret pikërisht përpara shortit tonë në Ligën e Evropës sepse momentalisht askush nuk e di se ku do ta luajmë ndeshjen e parë, në shtëpi apo në udhëtim”, ka thënë Mou për gazetarët.

“Imagjinoni pak, luajmë të hënën dhe më pas për tre ditësh zbresim sërish në fushë në një shtet të largët, shembull në Rusi, Turqi apo në Greqi. Federata duhet të mbrojë interesat e klubeve angleze por askush nuk mërzitet për këtë”.

“Unë nuk mund të luaj me skuadrën e dytë ndaj Chelseat siç bëri Manchester City vitin e shkuar, pasi që ne jemi Manchester United. Nuk më pëlqen ta bëj aspak një gjë të tillë sepse Kupa FA nuk ka aspak faj në këtë mes dhe për më tepër është një kompeticion historik”, ka përfunduar Mourinho.

Të dielën Manchester United përballet me Southamptonin në finalen e Kupës së Ligës.