Sport

Morata godet lojtarët e Chelseat: Vetëm spanjollët ma pasonin topin

Alvaro Morata i ka zbuluar prapaskenat e largimit të tij nga Chelsea, duke thënë se vetëm lojtarët spanjollë të skuadrës ia pasonin topin gjatë ndeshjeve.

26-vjeçari është për momentin i huazuar në Atletico Madrid. Kjo kontratë e huazimit është e vlefshme deri në vitin 2020 dhe ai e ka nxitur edhe një herë skuadrën e Diego Simeones ta blejë atë përfundimisht, transmeton Gazeta Express.

Morata, i cili u transferua në Chelsea në vitin 2017 nga Real Madridi për 60 milionë funte, kishte dështuar ta fitojë besimin e drejtuesve dhe tifozëve të klubit londinez, pasi i shënoi vetëm 24 gola në 72 ndeshje të zhvilluara.

Duke folur për përvojën e tij me klubin londinez, Morata tha për Goal: “Nuk ndihesha i dëshiruar ose i vlerësuar nga klubi dhe tifozët. E nisa shumë mirë me Chelsean, por një lëndim në fund më la të ngecur”.

“Supozohet të jesh i respektuar nga tifozët, por… Në Chelsea erdhi një kohë kur bashkëlojtarët e mi, përveç spanjollëve, por… e dini, nuk është e njëjta kur luan dhe e din se po ia pason topin dikujt që nuk është në formë edhe aq të mirë”.

“Ti nuk ia pason topin dikujt në atë mënyrë. Kushdo që ka luajtur futboll do ta kuptojë këtë gjë”. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli