Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë ka kërkuar nga Sarajeva zyrtare që të shqyrtojë mundësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili ka thënë madje se kjo ishte një deklaratë e gabuar.
“Në Bosnje e Hercegovinë nuk ekziston mundësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës, jo për shkak të qëndrimit të boshnjakëve e kroatëve, por për shkak të përfaqësuesve serb. Madje, kërkesa e Haradinajt as nuk do të merret parasysh deri në përfundim të mandatit tim si ministër. Të gjithë kemi qëndrim unik dhe nuk ka shanse që kjo gjendje të ndryshojë”, ka thënë shefi i diplomacisë së BH-së.
Haradinaj gjatë takimit që pati dje me boshnjakët e Kosovës, me rastin e ditës së tyre, ka kërkuar nga ata që të dërgojnë mesazh në Sarajevë që të ndërmarrin hapa zyrtarë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Madje, ai kishte propozuar që të njihen edhe dokumentet e Kosovës në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm.