Beograd – Zëvëndëskryeministrja dhe Ministrja e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka thënë se qëllimi i Serbisë është lidhja me rajonin dhe se këto projekte janë “shumë të rëndësishme”.
Mihajlloviq ka biseduar me shtatë drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore të udhëhequr nga Werner Gruber, për reformat e ndërmarra në Serbi, si dhe projektet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të cilat janë duke u implementuar në bashkëpunim me institucionin financiar ndërkombëtar, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, raporton agjensia Beta.
Duke folur në lidhje ministrinë që ajo udhëheqë, Mihajlloviq ka deklaruar se pret që së shpejti do të kompletohet Korridori 10, ndërsa në fokus është lidhja infrastrukturore e mëtejshme që lidh Serbinë me rajonin – “Rruga e paqes” Nish-Merdare-Prishtinë, modernizimi i rrugës Beograd-Budapest.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan reformat e ndërmarra në Serbi, përpjekjet për krijimin e rrjeteve infrastrukturore me rajon dhe u interesuan për qëndrimin e Serbisë për lidhjen infrastrukturore me Shqipërinë.
Mihajlloviq tha se dy vjet më parë, për herë të parë në 30 vjet, është formuar një grup i përbashkët pune i përbërë nga ministrat e transportit të të dy vendeve që bashkërisht të punojnë në një projekt për të ndërtuar autostradën Nish-Merdare -Prishtinë.
“Qëllimi ynë është lidhja me rajonin dhe këto projekte janë të rëndësishme për ne”, tha zëvendëskryeministrja serbe.





















