Është mbajtur takimi i rregullt i grupit ndërinstitucional për monitorimin dhe implementimin e marrëveshjes Stand-By me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në mbledhjen e udhëhequr nga zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, u tha se të gjitha kriteret e Tremujorit të Parë të viti 2017 për Programin Stand-by me FMN-në janë të përmbushura me sukses.
“Ky grup, përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe agjencive nën ombrellën e saj, përfshin edhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e FMN-së, u raportua mbi arritjen e caqeve fiskale dhe përmbushjen e reformave strukturore brenda periudhës Janar- Mars 2017”, njofton MF’ja.
“Në përmbyllje të takimit, u konkludua se të gjitha kriteret e përcaktuara për periudhën në fjalë janë përmbushur me sukses, përfshirë këtu mbarëvajtjen e nivelit të ulët të deficitit buxhetor dhe disponueshmërinë e rezervave të mjaftueshme fiskale që garantojnë stabilitet ekonomik. Për më shumë, gjatë takimit u tha se Kosova është afër përmbylljes me sukses të programit brenda këtij viti”, thuhet në njoftim. /GazetaExpress/.