Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, ka diskutuar për situatën e krijuar nga shpërthimi i zjarreve në vend dhe kërkoi angazhim maksimal në luftën për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Në këtë takim, kreu i shtetit shqiptar u njoh mbi gjendjen aktuale në qarqet e prekura nga përhapja masive e zjarreve, në veçanti për jetën e banorëve të zonave të rrezikuara, masat e marra për kontrollin dhe eliminimin e rrezikut.
Presidenti Meta përgëzoi të gjithë ata të cilët, pavarësisht nga vështirësitë, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak dëme materiale.
Ai me këtë rast ka bërë thirrje që të vazhdojnë përpjekjet për koordinimin në kohë të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për ndihmesën, dhe solidaritetin e vendeve fqinje dhe partnerëve ndërkombëtarë.