Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur për të vendosur përfundimisht nëse do ta votojnë ose jo marrëveshjen për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.Burimet e Indeksonline brenda takimit thonë se ende nuk ka një vendim të prerë po pas pak do të vendoset përfundimisht nga do të rreshtohet LDK-ja.
Ndryshe dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Avdullah Hoti ka deklaruar se LDK do ta votojë këtë marrëveshje, por gjatë mbrëmjes disa deputetë të këtij subjekti kanë deklaruar se nëse në marrëveshje futet raporti i Shpejtim Bulliqit, atëherë vota e tyre do të jetë kundër.
LDK-ja ka paralajmëruar se nuk do ta votojë Projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi nëse i bashkëngjiten dokumente të tjera “kontradiktore”.
LDK ka thënë se e mbështet Ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Deklaratën politike të Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbëhet nga dy nene të Marrëveshjes së gushtit 2015, dhe do të votojë për këtë Projektligj vetëm me këtë përmbajtje.“LDK-ja nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.
Seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion është planifikuar të mbahet nga ora 11:00.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nevojiten 80 vota të deputetëve.