Gjendja e mbikalimit te shkolla “Ali Sokoli” në Prishtinë është e tmerrshme. Aroma kundërmuese, dyshemeja e dëmtuar me zbrazëtira ku nga poshtë shihen veturat tek lëvizin, xhamat e thyer, si dhe mbeturinat e shumta të hedhura aty, e bëjnë shumë të vështirë kalimin aty.
Ndërtimi i këtij mbikalimi ka kushtuar 180 mijë euro, ndërsa, janë bërë katër vjet që ai është në shërbim të qytetarëve por që rrallë herë frekuentohet nga ta.
Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, tha për KosovaPress se ky mbikalim shfrytëzohet vetëm nga 10 përqind e këmbësorëve që kalojnë rrugën në atë segment të rrugës, nga 80-90 përqind e tyre që është paraparë ta shfrytëzojnë atë.
“Kur është ndërtuar ai mbikalim, është llogaritur që minimum 80 – 90 përqind të këmbësorëve që e kalojnë atë pikë, atë segment të rrugës ta shfrytëzojnë atë, sepse janë të moshave që mund ta kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt. Tani po del e kundërta, që ndoshta 10 përqind mund ta shfrytëzojnë nga kujdesi i tyre apo ndonjë arsye tjetër”, tha ai.
Meqenëse ky mbikalim shfrytëzohet shumë pak nga qytetarët, dhe në mënyrë që të funksionalizohet në tërësi, Qorri thotë se kanë shqyrtuar shumë herë mundësit.
“Ne e kemi shqyrtuar shumë herë mundësinë se si të futet në funksion ky mbikalim. Është e vetmja nëse bëjmë pengesa fizike. Është rrethojë, e cila fizikisht pamundëson që të kalohet në pjesën tjetër të rrugës dhe në njëfarë forme detyrohet që të shfrytëzoj mbikalimin. Mirëpo kjo na është dukur paksa e vrazhdë… Kanë qenë disa elemente apo disa gjëra që ka ardhur deri tek konstatimi që ata që e duan sigurinë dhe duan ta kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt, e kanë mundësinë”, tha ai duke shtuar se rrethi shpeshherë ngulfatet si rezultat i këmbësorëve që kalojnë rrugën aty.
Më tej udhëheqësi i shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, thotë se deri më tash janë kujdesur që mbikalimi të mirëmbahet në aspektin e pastërtisë por mungojnë ashensorët. E puna e ashensorëve, sipas tij, do të rregullohej nëse nuk do të ishte kaq i vogël numri i këmbësorëve që e frekuentojnë atë.
“Është edhe një që ka mbet hendikap i këtij mbikalimi, që ashensorët nuk janë vendosur aty që të jepet mundësia edhe për personat me aftësi të kufizuara. Mirëpo, sikur të ishte shfrytëzuar nga kjo përqindje që është mbi 90 përqind që e kalojnë aty, janë të aftë dhe kanë mundësi të kalojnë përmes mbikalimit, nuk do të kishte paraqitur problem shumë të madh për pjesën që nuk e ka ashensorin, sepse ne e dimë se jo në çdo vend dhe jo çdoherë, mbikalimet do t’i kenë edhe ashensorët dhe rampat tjera që e ndihmojnë edhe lëvizjen e personave në karrocë, kështu që si i tillë, nëse do të shfrytëzohej, do ta ketë ndikimin e vet edhe në qarkullimin e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve, por edhe në rritjen e sigurisë për këmbësor në veçanti”, tha ai përderisa shtoi se lartësia e mbikalimit është përcaktuar me ligj.
Ndërkaq, për shumicën e qytetarëve që frekuentojnë atë pjesë të qytetit, shmangia e shfrytëzimit të mbikalimit ndodhë për shkak se nuk konsiderohet të jetë i përshtatshëm, ku më problem del ta kenë të moshuarit.
Për qytetaren Sadije Ukaj, është pikërisht mungesa e ashensorëve që i vështirëson përdorimin e mbikalimit.
“Unë nuk mund ta përdori për shkak të shkallëve, shkaku i këmbëve, pasi që kam reumë dhe nuk po mund të hipi lartë. Për të zbritur e kam më lehtë. Vetëm për atë shkak, asgjë tjetër sepse ky është i mirëseardhur. Për neve është shumë më mirë mos të kalojmë këtej”, u shpreh ajo.
Është Musli Buzuku, i cili ndonjëherë ndodhë të shfrytëzon mbikalimin për të kaluar nga njëra anë në anën tjetër të rrugës, por pasi që jeton në Gjilan, atij i ndodh që më rrallë të frekuentojë atë zonë.
“Unë jam i ri, për mua nuk është problem, është problem për të vjetrit, për të hendikepuarit, se unë e përdori por mua rrallë më bie të vij këtu”, tha ai.
Për Bajram Avdullahun, mungesa e ashensorit paraqet problem, pasi që ai i konsideron si të vështira shkallët aty.
“E përdorim nganjëherë… sepse nuk është i përshtatshëm me hipë dhe përtojmë dhe se nuk ka lift”, u shpreh ai.
Ndryshe, mbikalimi i ndërtuar në rrugën “Fehmi Lladrovci” pavarësisht se u ndërtua në mënyrë që qytetarët të mos jenë të rrezikuar, vazhdon të mos shfrytëzohet duke shkaktuar kështu kolona të shumta të veturave, ndërsa, edhe vet jeta e tyre është e rrezikuar.
Ngarkesa bëhet më e madhe për faktin se në afërsi të atij lokacioni gjendet Stacioni i autobusëve urban, Shkolla e mesme e medicinës, Ambulanta, QKUK, si dhe Stacioni ndër urban në relacionin Gjilan-Prishtinë dhe Ferizaj-Prishtinë.