Aktuale

Mbi 14 mijë komisionarë do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për Gazetën Express të gjitha përgatitjet e KQZ’së për ditën e nesërme, ditën e zgjedhjeve. Ai ka treguar për komunat ku do të mbahet roundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash, kështu duke treguar edhe numrin e vëzhguesve dhe komisionarëve të plotë.

Nesër në 19 komuna të Kosovës do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Në Komunën e Pertesh do të bëhet rivotimi për kryetar të kësaj komune. Kështu ka treguar për Express zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund të dytë arrin në 1 milionë e 350 mijë e 613 votues, ndërsa numri i qendrave të votimit, ku janë shpërndarë këta votues është 614, me gjithsej 1 mijë e 777 vendvotime.

“Për këtë raund të zgjedhjeve numri i vëzhguesve është më i vogël, për faktin se kemi të bëjmë me më pak komuna ku do të kemi proces të votimit. Numri i përgjithshëm i tyre është më shumë se 12 mijë vëzhgues, të cilët vijnë nga subjektet politike, organizatat joqeveritare, ambasadat e akredituara në vendin tonë, si dhe vëzhgues nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian”, tha Elezi.

Ai ka treguar se numrit të komisionarëve të cilët do të jenë të angazhuar në ditën e nesërme, pra në ditën e zgjedhjeve, në 19 komuna do të angazhohen më shumë se 14 mijë komisionarë, e në komunën e Perteshit janë emëruar 40 anëtarë.

“Po në këtë ditë do të kemi edhe 82 ekipe mobile lëvizëse, me 240 anëtarë që do të jenë prezent nëpër vende përkatëse në ditën e zgjedhjeve dhe për t’iu mundësuar votimin edhe personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim në ditën e zgjedhjeve “, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ’së për Express.

the authorE B