Kryeministrja britanike, Theresa May deklaroi se do të formojë një qeveri koalicioni me Partinë irlandezo-veriore të Bashkimit Demokratik (PBD).
Në Britaninë e Madhe u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Partia Konservatore në pushtet humbi shumicën në parlament duke marrë 318 vende.
Për të formuar e vetme qeverinë asaj i mungojnë të paktën tetë deputetë.
Ndërkohë, Partia e Bashkimit Demokratik (PBD) është partia më e madhe e Irlandës së Veriut me 10 deputetë në parlamentin aktual britanik, që mund t’i ofrojë Theresa May një mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur.
E themeluar në vitin 1971 nga predikuesi protestant, Ian Paisley, partia ka qenë shumë probritanike.
Në marrëdhënie shoqërore është konservatore dhe e lidhur ngushtë me kishat fondamentaliste të krishtera si Kisha Presbyteriane.
PBD kundërshtoi ashpër të gjitha lëvizjet e Londrës për të përfshirë Republikën e Irlandës në aktivitetet politike të Irlandës së Veriut dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me Sinn Fein, krahun politik të Armatës Republikane Irlandeze (IRA), e cila zhvilloi një fushatë terroriste për unitetin irlandez dhe dhënies fund të sundimit britanik në veri.