Mërgim Mavraj pritet të transferohet te skuadra e Hamburgut gjatë afatit kalimtar të janarit.
Transferimi i Mërgim Mavrajt te Hamburgu është thuajse i përfunduar, ndonëse ende nuk është zyrtar. Për këtë janë të sigurt edhe te Kolni, ku dje, në përfundim të ndeshjes ndaj Bayer Levekusenit, futbollistët kanë duartrokitur gjatë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, bashkë me 50 mijë të pranishmit në stadium.
Kurse, edhe trajneri i Hamburgut, Markus Gisdol, nuk e ka përjashtuar mundësin e transferimit të Mavrajt gjatë janarit. “Për momentin jemi ende larg në disa çështje, shpresojmë të flasim më konkretisht brenda pak ditësh”, u shpreh Gisdol.
Sipas mediave gjermane, e vetmja gjë që diskutohet për momentin është shifra e transferimit të Mavrajt, i cili ka edhe 6 muaj kontratë te Kolnin. Parashikohet që palët të bien dakord për një shumë rreth 1,8 milionë euro, që do të kënaqte të dy klubet.
Ndërkaq, për Mavrajn parashikohet një kontratë deri në qershorin e vitit 2019, me të drejtën e zgjatjes për një tjetër edicion. Ajo që ndryshon në krahasim me Kolnin është padyshim trajtimi financiar i mbrojtësit.
Rroga e kosovarit në Hamburg do të kalojë 1 milion euro në sezon, një shifër që Mavrajt nuk ia garantonin te klubi aktual dhe një prej arsyeve pse mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare vendosi të largohej, edhe pse ndjehej mjaft mirë te Koln.
“Nuk di të them nëse ikën apo nëse qëndron. Por, Mërgimi ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm pas një dëmtimi shumë të keq. Tani ai ka një ofertë në tavolinë dhe më bëhet qejfi, pasi një vit më parë askush nuk i vihej mbrapa. Ai e ka merituar plotësisht. Tani na mbetet të shohim se si do të vazhdojë ecuria e tij”, ka deklaruar trajneri i Këlnit, Peter Shtoger.
