Maqedonia është vendi me shkallën më të lartë të edukimit të fëmijëve përmes dhunës, krahasuar me vendet e rajonit. Por, ky problem, si dhe problemi me të gjitha llojet e tjera të dhunës mbi fëmijët, është global dhe i përfaqësuar në të gjitha vendet dhe kërkon reagim urgjent nga shoqëria. Dhuna në moshën fëmijërore, krijon mundësi që ata të zhvillohen në personalitete me probleme të ndryshme.
Këto janë qëndrime të shprehura nga pjesëmarrësit në mbledhjen dyditore rajonale të organizuar nga UNICEF, në të cilën përfaqësuesit e rajonit bisedojnë për të drejtat e fëmijëve.
“Të gjitha analizat dhe hulumtimet që i ka UNICEF-i tregojnë se madje edhe në rajon Maqedonia ka shkallë më të lartë të edukimit përmes dhunës. Kjo tregon se ne krijojmë dhunë, nuk punojmë në parandalimin dhe të krijojmë shoqëri të padhunshme, por që në familje dhe në moshën më të hershme krijojmë sjellje të dhunshme dhe i mësojmë fëmijët tanë për dhunën”, tha në fjalimin e saj ministrja maqedonase e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.