Rey Manaj që nga dita e djeshme është pjesë e Pescarës, një klub që e ka marrë në huazim për një vit nga Interi dhe që pritet t’i ofrojë mundësi më të mëdha për të shprehur talentin e tij në futbollin italian.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj mendon se është gati për t’u bërë një futbollist i rëndësishëm në Serinë A dhe nuk e ka fshehur këtë mendim para mediave italiane.
“Për mua, Pescara është një mundësi shumë e madhe të cilën dua ta shfrytëzoj sa më mirë që të jetë e mundur. Dua të shpërthej. Po pres me padurim orën që të tregoj atë që vlej. Jam i ri, është e vërtetë, por kjo nuk duhet të jetë një alibi”, tha sulmuesi shqiptar për Rete 8.
“Jam i ndërgjegjshëm që duhet të përmirësohem, por edhe për cilësitë që kam. Nga të rinjtë, te futbolli i të rriturve është një hap i madh. Unë nuk kam frikë. Do të mundohem menjëherë të fitoj besimin e trajnerit, shokëve të skuadrës e natyrisht të tifozëve të Pescarës, për të cilët më kanë thënë se janë shumë pasiononte”. /Express/