Rei Manaj nuk e cilëson veten një talent individualist, por një futbollist i cili luan për skuadrën dhe me skuadrën
Pas ndeshjes së djeshme, ku Pescara barazoi 1-1 me Genoan falë golit të sulmuesit shqiptar, Manaj ka treguar se është optimist për të ardhmen e klubit, ndërsa ka pranuar cilindo rol që i jepet nga trajneri Oddo, përfshirë këtu edhe aktivizimin nga stoli, siç ka ndodhur deri tani.
“Jam i lumtur që morëm një pikë në një udhëtim jo edhe aq të lehtë. Duhet të luajmë ndeshjen e radhës me shpirtin e garës të pjesës së dytë për të arritur një fitore para tifozëve tanë. Në klasifikim kemi marrë një pikë, mund te kishim marrë edhe dy të tjera por kënaqemi edhe kështu”, tha ai për gazetarët pas përfundimit të ndeshjes.
“Fitorja nuk po vjen? Jemi të qetë, në 5 ndeshjet e para jemi ndeshur me 5 skuadra të mëdha. Pse nuk luaj titullar? Unë jam në dispozicion të trajnerit dhe skuadrës. Nuk jam as Messi e as Cristiano Ronaldo që marrin topin dhe bëjnë gol të vetëm, unë kam nevojë për shokët e skuadrës”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar, që janë interpretuar si një tjetër sinjal i rritjes së futbollistit të talentuar.