Majlinda Kelmendi ka planifikuar që edhe për 10 vite të merret me sportin e xhudos.
Majlinda Kelmendi, e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, thotë se jeton për xhudo dhe mendon të vazhdojë me këtë sport edhe për dhjetë vjet.
“Unë jam ende e re, jam 25-vjeçare dhe mendoj se kam edhe dhjetë vjet të tjerë në xhudo. Unë vërtet e dua xhudon. Nuk merrem me të për para, nuk e bëj për të qenë e famshme. Jetoj për xhudo”, ka deklaruar ajo në një intervistë për “judoinside.com”.
“Stërvitjet e forta nuk janë gjë e keqe për mua. Kur stërvitem fort, ndihem mirë. Më pas shkoj në gara dhe dua që të gjithë të më shohin dhe t’u tregoj të gjithëve se sa e mirë jam, se sa e fortë jam”, ka thënë Kelmendi
Një nga momentet historike të Lojërave Olimpike “Rio 2016” ishte edhe medalja e artë e fituar nga Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Ishte paraqitja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike. Kelmendi ka thënë se fitorja e saj ka rëndësi të madhe për Kosovën.