Aktuale

Lutfi Haziri tërhiqet nga sulmi që ia bëri mbrëmë Vjosa Osmanit

Lutfi Haziri i LDK’së nuk e pranon se dje e thumboi bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmanin, ani pse në një postim në Facebook, haptas shihej se ai i reagoi një deklarate të deputetes Osmani. Nënkryetari i LDK’së, për Expressin ka thënë se nuk e kishte fjalën për ndonjë emër të përveçshëm, ani pse permendi ‘një politikan’.
Ndonëse postimi i Lutfi Hazirit i bërë dje në Facebook, dukej qartësisht kundër Vjosa Osmanit, diçka të tillë e mohon nënkryetari i LDK’së.

“Assesi nuk ka të bëjë me asnjë emër të përvecshëm”, tha Haziri për Gazetën Express.

Kështu zgjodhi të thotë sot Haziri kur u pyet nëse i reagoi Osmanit, megjithëse postimi dje i dedikohej “një politikani” dhe përkonte me një deklaratë të deputetes së LDK’së që kjo e kishte dhënë në po të njëjtën ditë.

Hazirit nuk po i pëlqenin shumë gjëra dje, e vendosi që ato t’i thoshte në Facebook. Në një status përmbledhës që ai pati, përveç të tjerëve, ai i reagoi deputetes së partisë së tij, Vjosa Osmanit.

“Edhe nji politikan ia kish kujtue BE dhe ShBA që ish-ministri i Milosevic asht ba president i Serbisë. Po get keni harrue që para se me u ba president, ka qenë edhe kryeministër. Marre asht me manipulue me ‘pagesa’ e memory. Fajtori dihet.”, ka shkruar mbrëmë Haziri në Facebook.

Në fillim ai kritikoi iniciativën për mbledhjen e fondeve për t’ia paguar xhobën, e në fund përmendi edhe ‘një politikan’ që po tregonte gjëra tanimë të ditura.

Derisa Osmani, në një postim në Facebook, përkujtoi të zezat e presidentit serb, Aleksander Vciq, si ish-ministër i Millosheviqit, Haziri i quajti të kota përkujtimet e tilla.

Por, sot nënkryetari i LDK’së kur iu kërkua ta sqaronte se çfarë deshi të thoshte me këtë reagim, nuk e pranoi se e kishte për deputeten Osmani, apo dikë tjetër.

Dyshja e LDK’së janë nga figurat më të fuqishme të kësaj partie. Haziri, që mban pozitën e nënkryetarit dhe ka kthyer Gjilanin në një nga bastionet e LDK’së, ka kompetenca të mëdha në parti. Vjosa Osmani në dy palë zgjedhje ka dëshmuar se ka përkrahje masive të elektoratit të LDK’së. Të dy kanë ambicie të shfaqura për të marrë kreun e partisë një ditë.

Dje LDK doli me qëndrim zyrtar kundër presidentit Thaci si udhëheqës i palës kosovare në dialogun me Serbinë.

Në të njëjtën ditë u publikua intervista e Presidentit Thaci për një gazetë franceze, ku tha se ai dhe Presidenti serb Vuciq ishin taë duhurit për të dialoguar për paqe. Kjo e pengoi Osmanin, sipas të cilës, presidenti po e glorifikonte Vuciqin, që ishte një nga ministrat e Millosheviqit. /Express/

the authorE B