Rajon & Botë

Londër, May ndryshon kabinetin qeveritar

Kryeministrja britanike, Theresa May pritet të ndryshojë të hënën kabinetin e saj, ku janë parashikuar lëvizjet e disa ministrave, sipas medias së sotme britanike.

Ndryshimet në qeveri vijnë pas largimit të të besuarit të saj, Damian Green, në postin e sekretari të parë të Shtetit, pasi ky i fundit pranoi se kishte mashtruar në lidhje me imazhet pornografike, të gjetura në kompjuterin e tij në Dhomën e Komuneve, gjatë një kontrolli policor.

”Dorëheqja e Green, muajin e kaluar, pritet të shoqërohet me largime të zyrtarëve të nivelit të mesëm dhe të disa zëvendësministrave”, sipas agjencisë britanike të lajmeve, PA, që citon burime nga Downing Street.

Megjithatë, ministrat kryesorë si sekretari i Thesarit, Philip Hammond, ministri i Jashtëm, Boris Johnson, sekretarja e Brendshme, Amber Rudd dhe ai për Brexit, David Davis nuk do të largohen nga qeveria.

”Posti i ministrit të Arsimit mund të ndryshojë”, sipas gazetës ”The Independent”.

”Pritet që May të promovojë gra dhe zyrtarë jo me të kaluar partiake, në një përpjekje për të përmirësuar imazhin e vendit”, thotë ”Daily Mail”.

the authorE B