Sport

Liverpooli këshillohet ta kthejë Coutinhon

Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Phil Thompson, e ka këshilluar ish-klubin e tij ta kthejë në skuadër Philippe Coutinhos, përderisa mesfushori brazilian i Barcelonës pritet të jetë në kërkim të një klubi të ri këtë verë.

Liverpooli i ndau rrugët me yllin brazilian gjatë afatit kalimtar të janarit të vitit 2018, kur ai u shit për 160 milionë euro në Barcelonë, transmeton Gazeta Express.

Me ato para që Liverpooli i mori nga shitja e Coutinhos, trajneri Jurgen Klopp arriti të bëjë përmirësim të dukshëm në skuadër, veçanërisht me transferimin e qendërmbrojtësit Virgil van Dijk nga Southamptoni.

Prurjet e reja në Anfield kanë pasur shumë sukses dhe kanë arritur të ndihmojnë në triumfin e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, përderisa Coutinho ka dështuar në Camp Nou dhe është dërguar në formë huazimi në Bayern Munich.

Coutinho s’ka arritur ta dëshmojë veten as në Allianz Arena dhe këtë verë do të duhet ta kërkojë një tjetër klub. Thompson e ka këshilluar Liverpoolit ta kthejë brazilianin në skuadër, pasi që e vlerëson ai si gjeni kreativ.

“Ata me siguri do të jenë në kërkim të një mesfushori kreativ. A do të duhej ta kthenin Coutinhon? Unë do ta ktheja, sa hap e mbyll sytë”, ka thënë Thompson, në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Mendoj se ai është gjeni kreativ. Ju e shikoni të gjithë karrierën e tij me Liverpoolin dhe ai ka qenë plotësisht i mrekullueshëm. Ai nuk është shumë i vjetër dhe unë ende mendoj se ai duhet të kthehet”.

the authorGazetaKNN