Jeremy Corbyn, lideri i partisë opozitare të Britanisë së Madhe, Partisë Laburiste, i ka bërë thirrje sot kryeministres së Britanisë së Madhe nga radhët e Partisë Konservatore, Theresa May, që të japë dorëheqje pasi që ajo ka qenë ministre e Brendshme në kohën kur numri i policëve u zvogëlua.
Britania do të votojë këtë të enjte në zgjedhjet nacionale, disa ditë pasi militantët vranë shtatë persona dhe plagosën gati 50 të tjerë në zemër të Londrës natën e shtune, transmeton Express.
Ai ishte sulmi i tretë në më pak se tre muaj në Britani.
May u përball sot me pyetje nga gazetarët nëse është penduar që e ka zvogëluar numrin e oficerëve të policisë për rreth 20 mijë gjatë kohës sa ishte ministre e Brendshme nga viti 2010 deri në vitin 2016.
Ndërkohë, i pyetur nëse i mbështet thirrjet e tjerëve për May që të japë dorëheqje, Corbyn ka thënë për Sky News: “Po i mbështes vërtet. Sepse shumë persona përgjegjës i kanë bërë këto thirrje, të cilët janë shumë të brengosur se ajo ishte ministre e Brendshme për gjithë këtë kohë dhe udhëhoqi uljen e numrit të policëve dhe tani thotë se e kemi një problem.”
“Natyrisht se e kemi një problem, kurrë nuk është dashur ta ulnim numrin e policëve,” ka thënë ai./Express/