Rajon & Botë

Lideri i Katalonjës: Shpallja e pavarësisë çështje ditësh

Katalonja do ta shpallë pavarësinë nga Spanja brenda ditësh, ka thënë mbrëmë lideri i rajonit autonom për BBC, Carles Puigdemont.

Në intervistën e parë që prej referendumit të së dielës, Carles ka thënë se qeveria e tij do ta shpallë pavarësinë në fund të kësaj jave, apo në fillim të javës tjetër, transmeton Express.

Ndërkohë, Mbreti Felipe VI i Spanjës ka thënë se referendumi ishte i jashtëligjshëm.

Ai shtoi se situata në Spanjë është tejet e rëndë dhe bëri thirrje për unitet.

Dje, qindra mijëra persona protestuan nëpër Katalonjë kundër dhunës së policisë spanjolle gjatë referendumit, gjatë të cilit u lënduan gati 900 persona.

Në intervistë me BBC-në, presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka thënë: Qeveria do të veprojë në fund të kësaj jave apo në fillim të javës tjetër”.

Të dielën, më shumë se 2.2 milionë njerëz votuan në referendum. Qeveria katalane thotë se gati 90% votuan në favor të pavarësisë, por rezultatet zyrtare ende nuk janë publikuar.

Dalja në referendum ishte relativisht e ulët, vetëm 42%, gjë që ka mundësi ta dobësojë pozicionin e Puigdemont. /Express/

the authorE B