Mbrojtësi i krahut të majtë të Manchester Cityt do t’i nënshtrohet testeve më të detajuara për lëndimin në gju.
Lajme të këqija për Manchester Cityn dhe Benjamin Mendy.
Lojtari është lënduar gjatë pjesës së parë në fitoren e thellë 5:0 ndaj Crystal Palace të shtunën, dhe pas kontrolleve të para mjekësore dyshohet se ai ka këputur ligamentin e gjurit, transmeton KosovaPress.
Klubi ende nuk ka dalë me një komunikatë zyrtare për lëndimin e Mendyt, pasi që nesër ai do të nënshtrohet disa testeve shtesë ku do të mësohet edhe sa do të mungojë, por mediat në Angli shkruajnë se francezi do të qëndrojë jashtë deri në nëntë muaj.
Mendy është transferuar këtë verë te City nga skuadra e Monacos dhe menjëherë ka fituar një vend në formacionin e parë të Pep Guardiolas.