Aktuale

Lekaj: I kemi numrat për krijimin e institucioneve

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka pohuar se ata tashmë i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe formimit të Qeverisë.

Ai pas regjistrimit si deputet i kësaj legjislature, ka thënë se Qeveria pritet të formohet së shpejti.

“Sa i përket seancës, ne mendojmë që Parlamenti i Kosovës, do të konstituohet më 3 gusht, do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, që është procedurë që të jetë i përfunduar konstituimi i kuvendit, që lë hapësirë pastaj për krijimin e Qeverisë. Ne e kemi thënë që nuk ka vonesa, do të mundohemi që në kohën më të shkurtër të mundshme të formohet Qeveria. Ajo kur jemi tek numrat që tani më vjen keq që i kemi shndërruar deputetët në numra, por unë e them që e kemi mbështetjen e deputetëve të parlamentit të Kosovës, që e kanë marrë besimin e qytetarëve dhe këtë janë të mjaftueshëm për krijimin e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se a ka mundësi që dhe Qeveria të krijohet në të njëjtën ditë me Kuvendin, më 3 gusht, Lekaj tha se qeveria do të formohet në kohën më të shkurtë të mundshme, por s’është e thënë që të formohet po atë ditë.

“Sa i përket votimit të Qeverisë së Kosovës, ne mendojmë që do t’i kemi parasysh ligjet e Kosovës, rregulloren e kuvendit dhe në kohën më të shkurtë të mundshme, do të formohet Qeveria, por nuk do të thotë që atë ditë të formohet Qeveria, por nuk do të vonohemi. Kur them që nuk do të vonohemi janë në pyetje një ose dy ditë, që të kemi dhe Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa sa i përket kushteve të vëna nga partitë minoritare në këmbim të votës, Lekaj tha se Haradinaj nuk bënë kompromise të dhimbshme që janë në disfavor të Kosovës, por se ai do t’u jap atyre vetëm ato që u takojnë me ligje dhe Kushtetutë dhe asgjë më shumë.

“Të jeni të bindur se duke e njohur kryeministrin e Kosovës z. Haradinaj që do të zgjidhet 100 për qind, ne mendojmë që ai ka treguar edhe në kohët më të vështira, që nuk bënë kompromise të dhimbshme në disfavor të Kosovës, por që është njeri që ka luftuar dhe punon për të mirën e vendit dhe për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve. Dhe në këtë prizmë unë them se z. Haradinaj do të iu jep atë që duhet për me dhanë, që e kanë me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës dhe asgjë më shumë”, tha ai.

Edhe lideri I Nismës Fatmir Limaj, i cili u regjistrua sot si deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se vendi ka nevojë që sa më shpejtë të formohen institucionet. Ndërsa çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas tij, e cakton ligji, e që i takon partisë së parë fituese.

“Qeveri patjetër që do të ketë. Zgjedhjet janë mbajtur për këtë qëllim dhe siç e dini vullneti i qytetarëve të Kosovës është shprehur tashmë. Ky është hapi i parë për mendimin tim, drejtë hapjes së rrugës së konstituimit të institucioneve qendrore të Kosovës. Vendi ka nevojë sa më shpejtë për ndërtimin e këtyre institucioneve, me qëllim të fillojmë dhe të marrim përgjegjësi për kryerjen e shumë obligimeve dhe detyrave që i kemi para vendit tonë, para qytetarëve….Çështja e krijimit të Kuvendit, është çështje formale. E përcakton ligji, bile bile kemi dhe mendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk lë shumë hapësirë të krijimit të vullneteve politike. Është e qartë se koalicioni apo partia që del e para, e ka të drejtën e nominimit dhe jo vetëm nominimit por dhe zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Kosovës, si hap i parë që hap rrugë pastaj për konstituimin e Qeverisë. Nuk shoh këto asnjë pr oblem, nuk do të ishte asnjë problem sikurse nuk ka pasur as në të kaluarën. Ju e dini që gjithmonë kryetari i Kuvendit dhe trupat udhëheqëse të Kuvendit janë zgjedhur ashtu siç e ka paraparë rregullorja dhe kushtetuta e vendit”, tha ai.

Ndërsa i pyetur sa a ka gjasa që edhe Qeveria të zgjidhet po në të njëjtën ditë me Kuvendin e Kosovës, Limaj tha ka gjasa të ndodh një gjë e tillë, pasi që ka ndodhur dhe në të kaluarën, ku Qeveria është zgjedhur të njëjtën ditë me Kuvendin.

“Ka gjasa, ta shohim. Ne jemi duke punuar, kjo është çështje pak dhe e skenarit, është pak çështje dhe e agjendës së koalicionit, do të shohim sipas zhvillimeve. Besoj me kohë do të njoftoheni se a do të ketë atë ditë apo një ditë tjetër, por mundësitë ose opsionet janë të hapura sepse në Kosovë kanë ndodhur siç e dini, nuk është hera e parë edhe nëse ndodh. Unë jam dëshmitar i dy apo tri rasteve kur Qeverinë e kemi krijuar ose e kemi votuar në ditën e konstituimit të Parlamentit të Kosovës. Nuk do të ishte diçka e panjohur për realitetin politik në Kosovë, ndërtimi i institucioneve në ditën e njëjtë, por kjo mbetet, është pjesë e një agjende ose një programi të koalicionit qeverisës”, tha ai.

Përndryshe regjistrimi i deputetëve vazhdon edhe nesër, derisa Kuvendi ka sqaruar se edhe nëse deputetët nuk janë regjistruar, nuk i pengon që të marrin pjesë në seancën e 3 gushtit.

the authorE B