Sport

Legjenda italiane e mbron Gattuson

Ish-mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, i ka dalur në mbrojtje ish-bashkëlojtarit të tij, tani trajner i kuqezinjve, Gennaro Gattusos, pas kritikave që ka marrë ky i fundit gjatë ndeshjeve të kaluara, veçanërisht pas disfatës ndaj Interit.
Milani e mposhti Sampdoria në fundjavë me rezultat 3-2 dhe kjo fitore e lehtësoi paksa presionin mbi trajnerin italian, pasi që ata do të barazohen me pikë me Lazion në vend të katërt, nëse arrijnë ta mposhtin edhe Genoan të mërkurën, transmeton Gazeta Express.

“Çfarë kërkojnë ata nga Rino, ta fitojë çdo ndeshje? Unë e pashë fitoren ndaj Sampdorias në TV dhe e adhurova aftësinë e ekipit për të luajtur futboll të mirë dhe gatishmërinë e tyre për të reaguar me përkushtim të mrekullueshëm kur ishin duke humbur”, ka thënë Pirlo.

“Këto janë shenja të rëndësishme sepse kjo do të thotë që ky grup ka mentalitet të fortë. Milani është duke pritur tani për ndeshjen ndaj Genoas. Nëse ata i marrin tre pikët e kësaj ndeshjeje, ata do të jenë në një pozitë shumë të mirë në tabelë”.

“Nuk është e drejtë t’u kërkosh këtij grupi të lojtarëve të rinj hënën. Kuqezinjtë synojnë ta fitojnë një vend për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Ata do të luftojnë deri në fund për të tentuar ta arrijnë këtë synim”. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli