Aktuale

LAA dhe VV fajësojnë PAN-in për bllokimin e konstituimit të Kuvendit

Koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fajësuar kryekëput koalicionin PAN për mos formimin e institucioneve të vendit dhe për bllokim të Kuvendit, ndërsa deputeti i NISMA për Kosovën Milaim Zeka për bllokim të punës së Kuvendit ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, deputeti i NISMA për Kosovën, Milaim Zeka, paralajmëroi se fatkeqësisht edhe kjo seancë do të përsëritet sikur ajo e javës së kaluar dhe se krejt kjo bllokadë sipas tij, po ndodh për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk mori pjesë në mbledhjen konsultative të partive politike të mërkurën.

Ai ka thënë se koalicioni PAN i ka numrat për formimin e Qeverisë, ndërsa i bëri thirrje kreut të AKR-së Behgjet Pacollit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojnë në formimin e institucioneve shtetërore.

Zeka duke kritikuar LVV-në për sjelljet e tyre, i ftoi që të adaptohen me jetën dhe kulturën parlamentare, dhe siç tha ai, të mos sillen sikur rrugaç.

“Unë personalisht, kam prit që sot do të zhbllokohet situata në Parlamentin e Kosovës. Për fat të keq, edhe sot do të ketë një ri-përsëritje e seancës së kaluar. Jo që mendoj po tani më jam i bindur që Lëvizja Vetëvendosje, qëllimisht është duke e bllokuar Parlamentin e Kosovës. Këtë e bazoj në faktin se ata nuk kanë shkuar në mbledhjen konsultative, e cila ka qenë e thirrur nga Adem Mikullovci. LVV po e ka vështirë të kuptojë që thirrja e tyre drejtuar PAN-it, është një thirrje për me shkel Kushtetutën, për me e shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani, a e kemi ne një Kushtetutë të hairit apo jo, a ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i drejtë, apo jo kjo është çështje që një ne duhet me debatuar në të ardhmen në parlament dhe me i ndryshuar ato gjëra, të cilat janë të këqija. Prandaj, unë i bëj thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të adaptohen me jetën dhe kulturën parlamentare. Si duket akoma ata j anë duke parë vetën nëpër rrugë, duke gjuajtur gurë dhe nuk po adaptohen me jetën parlamentare”, tha Zeka.

Ai ka thënë se tashmë ka shenja për zhbllokim duke u bazuar në deklaratat e kreut të AKR-së Behgjet Pacolli, ndërsa shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për të formuar qeverinë.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizje Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi tha se edhe në seancën e katërt konstituive po shihet se PAN është bllokues i konstituimit të institucioneve.

Ajo tha se do të vazhdojnë që të thërrasin PAN-in që të dalë me kandidatin e tij.

Duke folur rreth pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në takimin e mundshëm konsultativ, Kadaj-Bujupi tha se nuk ka nevojë që institucionet të barten në takime jo zyrtare.

Kadaj-Bujupi tha se për momentin LVV e ka bllokuar Kadri Veselin, pasi sipas saj, ai është kandidat i papërshtatshëm.

“Në këtë fazë kemi bllokuar Kadriun, për shkak se ai është personi më i pa përshtatshëm të jetë kryetari i Kuvendit, ndërkaq ata e kanë bllokuar Kosovën, duke konsideruar që Kadriu është më i madh se Kosova. Dhe nëse ata e trajtojnë kështu, duhet të vijnë në kuvend t’ia thonë neve dhe qytetarëve. Mos të përpiqen që të improvizojnë përmes tryezave jo-formale, sepse Kosova ka institucionet e veta. Lëvizja Vetëvendosje është grupi më i madh parlamentar dhe rrjedhimisht jemi subjekti fitues në vend. Prandaj, do të angazhohemi që të bllokojmë zaptuesit e shtetit dhe të zhbllokojmë formimin e institucioneve, sepse jemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që të zbatojmë vullnetin e qytetarëve të datës 11 qershor”, tha Kadaj-Bujupi.

Edhe Arben Gashi nga koalicioni LAA, tha se situata e krijuar pas ndërprerjes së sotme të vazhdimit të seancës konstituive, shtyn koalicionin LAA që të veprojë sipas rrethanave të reja konstituive ligjore.

Ai tha se LDK po shqyrton mundësitë ligjore dhe kushtetuese, ku sapo të jetë gati, kjo çështje do të trajtohet dhe do të diskutohet me grupet e tjera parlamentare, përfshirë edhe pakicat.

“Qëndrimi zyrtar i LDK-së është që institucionet e Kosovës duhet të konstituohen në afat sa më të shkurtë të mundshëm, koha e cila po humbet po humbet pa arsyeshëm dhe sjellja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe aleatëve të saj është një sjellje bllokuese dhe një sjellje, e cila ka futur vendin në një situatë krize. LDK, po ashtu, po shqyrton mundësitë alternative për të parë se si mund të zgjidhet kjo situatë dhe njëra prej situatave e cila po trajtohet si mundësi e zgjidhjes është edhe veprimi juridik brenda Kuvendit për të krijuar gjendjen e re. Gjendja e re nënkupton procedimin në Kuvend në mungesë të PAN-it, pra ne po shqyrtojmë seriozisht edhe mundësinë që të vazhdojmë me procedura në Kuvend në mungesë të PAN-it, zgjedhjen e institucioneve meqenëse kemi si të drejtë të deklaruar nga Gjykata Kushtetuese që i takon kryetari Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, atëherë ne duhet të shohim mundësinë e vazhdimit të seancës, duke zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit dhe të vazhdohet të punohet në Kuvend derisa PDK-ja dhe aleatët e saj të jenë të gatshëm që të vijnë në Kuvend”, tha Gashi.

Në vazhdimin e seancës konstituive edhe pse pati kuorum me 61 vota, kryesuesi i saj Adem Mikullovci ndërpreu seancën në mungesë të PAN-it.

the authorE B