Sport

Ky pritet të jetë formacioni i Kosovës kundër Greqisë, në mungesë të 9 lojtarëve kryesorë

Trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes, iu kanë shtuar telashet me mungesat e futbollistëve para ndeshjes kundër Greqisë dhe si pasojë atij do t’i duhet të mendojë përsëri si ta krijojë një formacion të ri.

Ekipi kombëtar i Kosovës – i thelluar në krizë rezultatesh – do të takohet me Greqinë në Stadiumin Olimpik të Athinës sot në orën 20:45, kombëtaren helene që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin, raporton Gazeta Express.

Sikur të mos i mjaftonte mungesa e shtatë futbollistëve kyçë dhe kriza e rezultateve, Kosovës për ndeshjen e sotme kundër grekëve do t’i mungojnë edhe tre futbollistë të tjerë, dy titullarët e padiskutueshëm Arbër Zeneli dhe Valon Berisha, si dhe Edon Zhegrova.

Përveç tyre, mungojnë edhe Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca që nuk luajtën as në dy ndeshjet e kaluara kundër Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë.

Në mungesë të yllit të Stade de Reims Zeneli, Challandes pritet t’i japë mundësinë të luajë titullar Lirim Kastratit.

Në mesfushë, ku ka mungesa të mëdha, Florian Loshaj pritet të luajë titullar për herë të parë për verdhekaltrit përkrah Herolind Shalës.

Trajneri zviceran pritet të luajë sërish me Benjamin Kolollin në sulm, i cili do të mbështetej nga Kastrati në krahun e majtë dhe Florent Hadergjonaj në krahun e djathtë.

Aro Muric pritet të jetë në portë dhe para tij në mbrojtje katërshja, Mërgim Vojvoda, Ibrahim Dresevic, Fidan Aliti dhe Leart Paqarada.

Formacioni i mundshëm i KosovësMuric, Vojvoda, Dresevic, Aliti, Paqarada, Shala, Loshaj, Kastrati, Celina, Hadergjonaj dhe Kololli.

Kosova i ka humbur të gjitha mundësitë për ta fituar Grupin 3 në Ligën C, pasi e nisi fushatën e re me një barazim dhe dy humbje radhazi dhe është ende në kërkim të fitores së parë.

Kur jemi në gjysmë të rrugës në fazën grupore, Kosova është e parafundit në grupin e vet me vetëm një pikë të mbledhur, njëlloj si Moldavia që renditet e fundit.

Grupit i prijnë Greqia dhe Sllovenia me nga shtatë pikë, në një garë kokë me kokë për ta fituar atë.

the authorGazetaKNN