Dy ditë para se të kryhej atentati kundër avokatit, Azem Vllasi në mars të këtij viti, Sadri Ramabaja dyshohet se e ka takuar dhe e ka këshilluar Murat Jasharin rreth aktiviteteve të organizatës “Syri i Popullit”.
Takimi me Jasharin, i cili po hetohet për tentim-vrasjen e Vllasit, sipas hetimeve preliminare të Prokurorisë Speciale është mbajtur në restorantin “Villa Panorama”, në lagjen “Mati 1”, në kryeqytet, shkruan sot Koha Ditore.
“Po të sugjeroj që mos me u zgjerua më shumë se 10 veta. Identifikimi i njerëzve është i rrezikshëm. Ti nuk mundesh më nga ky kënd, sepse në Kosovë janë 38 shërbime, kushdo që përdor banka nuk ka shanse pa u zbulua. Me 10 veta duhet me u krye, 5-6 veta shumë të besueshëm. Nuk guxon ashtu të zgjerohesh”, dyshohet se i ka thënë Ramabaja më datën 11 mars Jasharit.
Kjo pjesë e bisedës është përfshirë të hënën në kërkesën e prokurorisë drejtuar gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ramabajës, i cili u arrestua tri ditë më parë në Shqipëri, duke tentuar që të arratisej nga vendi. Një kopje të kërkesës e ka siguruar “Koha Ditore”.