Gjiganti anglez nuk po arrin assesi të këndellet në këtë sezon.
Jose Mourinho erdhi me shumë bujë te Manchester United dhe pritej që ta kthente ekipin në rrugën e sukseseve. Por deri më tani asgjë nuk po shkon ashtu siç e kishte parashikuar portugezi.
Madje gjërat sa shkojnë e përkeqësohen për ‘Djajtë e Kuq’, të cilët pas barazimit 1:1 me West Hamin, kanë regjistruar startin më të dobët në 26 vitet e fundit në Premier Ligë, transmeton KosovaPress.
Ishte sezoni 1990/91, kur United kishte mbledhur vetëm 20 pikë pas 13 xhirove ashtu siç i ka edhe sot dhe gjendet plot 11 pikë prapa liderit Chelsea.
Ekipi i Mourinhos që renditet i gjashti në tabelë ka tetë pikë më pak edhe se i katërti Arsenali, vend ky i fundit që mundëson kualifikimin për Ligën e Kampionëve.
Ndonëse ka edhe shumë xhiro deri në fund të kampionatit, United ende nuk ka treguar asgjë, përkundër disa transferimeve të mëdha që i ka bërë gjatë verës.