Aktuale

Kuvendi miratoi rregulloren e re- S’parashihet ndonjë masë ndëshkuese për deputetët që mungojnë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rregulloren e re të Punës së Kuvendit, por kjo rregullore ende nuk ka kaluar në lexim të dytë.
Rregullorja përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve.

Artan Murati, Menaxher i Programit për monitorimin e Kuvendit në KDI, ka thënë për Gazetën Express se ndonëse Rregullorja e re është miratuar në lexim të parë, është e vështirë të besohet se ajo do të miratohet së shpejti.

“Miratimi i Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës tanimë është tejzgjatur. Kuvendi funksionon me Rregulloren e miratuar në vitin 2010, dhe veç është e ditur që kjo Rregullore duhet të ndryshohet me urgjencë”, ka thënë Murati.

Ai, gjithashtu, ka thënë se as në Rregulloren e re, nuk është caktuar ndonjë masë që do të merret ndaj deputetëve që mungojnë në Kuvend, apo atyre që nuk marrin pjesë në votim.

“Përkundër rifreskimit, as në rregulloren e re nuk janë paraparë masa strikte dhe ndëshkuese për deputetët që mungojnë në punimet e Kuvendit, apo të cilët me qëllim nuk marrin pjesë duke pamundësuar kuorumin”, tha ai.

“Komisioni për Legjislacion ka vazhduar të mbajë takime për të trajtuar amendamentet e shumta të propozuara por ende nuk ka një qëndrim të përbashkët lidhur me çështje të rëndësishme që do të duhej të përfshiheshin në rregulloren e re të Kuvendit.

Grupet Parlamentare në Kuvend ende nuk kanë gjetur një formulë që do të ishte e pranueshme për të gjithë”, tha Murati për Gazetën Express.

the authorE B