Aktuale

Kusari-Lila: Nuk shkojmë me PAN-in, këtë javë vazhdojmë bisedimet me VV-në

E para e “Alternativës” Mimoza Kusari-Lila e cila është në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re, është shprehur e bindur se nuk do të hyjnë në koalicion me PAN-in, pavarësisht se çfarë vendimi do të marr partia e Behxhet Pacollit. Ajo madje shprehet se këtë javë do të rinisin bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e mirëfilltë të platformës qeverisëse.

“Pa marrë parasysh vendimit të AKR-së dhe partisë së tyre, Alternativa e ka vendimin e vetë, pra nuk i bashkohet koalicionit PAN. Ne nuk largohemi nga koalicioni i tanishëm. Ne deri më tash jemi duke bërë përpjekje për ndërtimin e mirëfilltë të platformës qeverisëse, LAA dhe Vetëvendosjes për të tjerat secila parti mund të deklarohet”, ka thënë për Indeksonline, Mimoza Kusari-Lila.

E pyetur rreth negociatave konkrete mes LAA-Vetëvendosje, Kusari Lila thotë se bisedimet janë duke vazhduar edhe pse në këto ditë më të rralla.

“Këto ditë kemi qenë në një periudhë më pasive pasi që një numër i konsiderueshëm edhe i udhëheqësve edhe i deputetëve kanë qenë në pushime, por besoj që këtë javë do të ketë një aktivitet më të shtuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Kjo e fundit ka komentuar edhe çështjen e zvarritjes së krijimit të institucioneve të vendit, duke bërë të ditur se faktori kyç për këtë është vetë PDK-ja, të cilët nuk po binden se duhet propozuar emër tjetër për të parin e Kuvendit dhe se janë e vetmja parti me të cilën partitë e tjera nuk duan bashkëpunim.

“Individalizmi i pozitave nga radhët e PAN-it, duke filluar nga kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit dhe nga fakti që nuk dëshirojnë të pranojnë se nuk kanë arritur të krijojnë shumicën e mjaftueshme për të krijuar institucionet për arsye se sikur të kishin ardhur me një emër tjetër përveç zotëri Veselit, do të kishin Kuvendit e konstituim dhe tjetra është sikur të kuptonin se nuk është e mundur që të vazhdohet si koalicion që janë formuar para zgjedhjeve për të vazhduar pas zgjedhjeve, sigurisht se edhe ata do të shikonin mundësitë e tjera.

Shumica e partive janë deklaruar se janë kundër bashkëpunimit me PDK-në duke përjashtuar dy partitë tjera që janë pjesë e PAN-it dhe kjo besoj se është njëra nga arsyet kryesore që ka mbajt vendin të bllokuar deri në këtë fazë”,ka përfunduar Kusari-Lila./Indeksonline/

the authorE B