Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa pak ditë para se të procedohet Demarkacioni në Kuvend thotë se rrëzimi i Qeverisë nuk i shpëton ata që plaçkitën 30 milionë euro të PTK’së duke e kujtuar mocionin e opozitës qëllimi i së cilës është shkarkimi i Qeverisë së tij.
Kreu i ekzekutivit e ka përdorur mocionin e opozitës për ta akuzuar PDK’në si plaçkitëse të milionave të Shtetit.
Thotë se ka pritur që ky mocion do të përmbajë diçka që ata kanë punuar keq apo s’kanë punuar për atë që kanë dhënë premtime, por sipas tij, adresimi i keqpërdorimeve sikurse rasti i 30 milionë eurove nuk e shpëton askënd edhe po të rrëzohej kjo Qeveri.
“Kam pritur se Mocioni i opozitës do të përmbajë diçka që kemi punuar keq apo s’kemi punuar atë që kemi premtuar. Por, se kësaj Qeverie do të tentohet t’i adresohen keqpërdorimet, vjedhjet, abuzimet e aferat me të cilat asnjë vendim dhe anëtar i kësaj Qeverie s’ka të bëjë, nuk kam pritur! Asnjë mocion kundër Qeverisë nuk i shpëton ata që mendojnë të plaçkisin 30 milion euro nga Telekomi i Kosovës, ata që ia bënë shtetit faturën e pasaportave mbi 5 milion euro apo ata që shpresojnë se do ta plaçkisin shtetin edhe përmes Axosit, nëse kjo Qeveri bie”, ka shkruar Mustafa.
Kujtojmë se në lidhje me këto akuza që Mustafa po i përmend tani, “Devolli Group”, që udhëhiqet nga Blerim Devolli, do t’i marrë 30 milionë euro, pasi kanë fituar gjyqin e arbitrazhit në Vjenë, për shkak se Telekomi i Kosovës nuk i ka përmbushur obligimet që dalin nga marrëveshja.
Mustafa ka thënë se prona publike po humb 30 milionë euro nga Arbitrazhi për PTK-në./GazetaExpress/