Pas disa kritikave të pakta se mungonte flamuri kombëtar në fitoren e Majlinda Kelmendit, ka reaguar edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA, Jakup Krasniqi duke shprehur se fajtor për situatën e krijuar nuk është Majlinda por partitë politike dhe faktori ndërkombëtar.shkruan Gazeta Express.
“Pse nuk themi: Përgjegjësinë për pozitën e kombit shqiptar sot e kanë, partitë më të mëdha politike (në Shqipëri e në Kosovë), partitë që po qeverisin më vendin, sidomos pas qershorit të vitit 1999. Pse nuk themi që përgjegjësit i kanë qeveritë në Tiranës e në Kosovës, të cilat edhe ashtu po qeverisin keq, madje tepër keq, sidomos qeveria e Kosovës. Kush na ka faj që nuk po e ndërtojmë dot shtetin e së drejtës as në Shqipëri e as në Kosovë? Dhe po i lamë të tjerët të na “ngrehin për hunde”?” thekson Krasniqi në shkrimin e tij duke shtuar se Majlinda është sportiste, që na përfaqësoi me dinjitet në Lojërat Olimpike të Brazilit.
Krasniqi ka drejtuar kritika edhe kundrejt Akademisë të Shkencave dhe e Arteve të Kosovës(ASHAK) duke thënë “Pse nuk themi që Akademitë tona, në Shqipëri e në Kosovë, nuk janë duke u rreshtuar në mbrojtje të kombit e as të tërësisë së atdheut? Akademitë tona për çdo gjë kanë zgjedhur heshtjen?! Kush na ka faj, që trurin e kombit e kemi lënë të plakur?! A nuk e pamë përfaqësimin e mjerë të ASHAK-ut në Debatin për Demarkacionin?! Dhe të gjithë heshtëm!”
Në përfundim të shkrimit pasi e falenderon Majlindën për përfaqësimin dinjitoz Jakup Krasniqi thekson se “Sportistet nuk e kanë për obligim luftën politike, por luftën sportive për përfaqësim dinjitoz, të vendit e të kombit si edhe luftën për medalje, e arta është më e dëshirueshmja për sportistin a sportisten dhe ketë e bëri Majlinda! Këtu vetëm urimi e përgëzimi ka kuptim!” /Gazeta Express.