Boksi njihet si njëri prej sporteve që i ka sjellë më së shumti suksese Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.
Mirëpo, në vitet e pasluftës ky sport luftarak ka pasur rënie drastike për shkak të problemeve të natyrave të ndryshme, mbi të gjitha financiare, të cilat i kanë kapluar klubet.
Madje, në Olimpiadën e Rios, ku Kosovës i është mundësuar pjesëmarrja e parë ndonjëherë, çuditërisht munguan boksierët nga sporti prej të cilit prisnim më së shumti. Armend Xhoxhaj, Naser Shala dhe Violant Sylejmani nuk e arritën normën olimpike dhe mbetën në shtëpi.
Sidoqoftë, Federata e Boksit të Kosovës është duke punuar qysh tash, në mënyrë që një dështim i tillë të mos përsëritet edhe në olimpiadën e ardhshme, e cila do të mbahet në vitin 2020, në Tokio të Japonisë.
Pa dyshim, shpresat më të mëdha janë tek Donjeta Sadiku, nënkampione botërore për të reja dhe njëherësh kampione evropiane për këtë grupmoshë.
Mirëpo, drejtuesit e boksit kosovar besojnë se boksierja nga Gollaku nuk do të jetë e vetmja që do ta përfaqësojë Kosovën në olimpiadën e ardhshme.
“Tash i kemi 4-5 shpresa olimpike dhe po punojmë shumë me ta. Besoj se në Olimpiadën e Tokios do t’i kemi dy boksierë dhe një boksiere, natyrisht Donjeta Sadikun. Po punojmë në këtë drejtim”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, njëherësh refer ndërkombëtar i boksit.
Madje, FboxK dhe njohësit e boksit besojnë se Sadiku mund të fitojë medalje olimpike në “Tokio 2020”, duke e pasur parasysh se i ka përpara edhe katër vjet dhe në këtë periudhë mund të bëjë edhe më shumë përvojë dhe mund të përparojë për nga cilësia. /Zëri/