Aktuale

Kosova si UNMIK në CEFTA, edhe Haradinaj pajtohet se duhet ndryshuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar kërkesën e Odës së Afarizmit që Kosova të dal nga CEFTA, pasi po prezantohet si UNMIK-Kosovo dhe jo si Republikë e Kosovës, duke thënë se duhet kaluar në një etapë të re, por ende nuk kanë qëndrim final, pasi po vazhdojnë diskutimin se si t’i qasen kësaj çështje.

Kërkesën e Odës së Afarizmit të Kosovës drejtuar Qeverisë, ditë më parë e ka përkrahur edhe ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, i cili u ka thënë mediave se do ta shqyrtojnë tërheqjen për tregti të lirë CEFTA, nëse nuk do të merren parasysh kërkesat që Kosova të përfaqësohet si Republikë dhe kjo si UNMIK.

Lidhur me këtë çështje, sot është pyetur edhe kryeministri Haradinaj, i cili vizitojë Ministrinë e Tregtisë. Ai tha se kanë diskutuar me ministrin edhe për CEFTA-në, por se nuk do të nguten për të treguar se si do të veprojnë.

“Është më shumë se kaq, është më shumë se temë vetëm e Ministrisë dhe e Odës së Afarizmit, është temë nacionale në planin e jashtëm si i qasemi mekanizmave ndërkombëtar, nuk kemi një qëndrim final ende, pra do ta diskutojmë edhe pak qasjen tonë ndaj çështjes dhe mënyrën e përfaqësimit tonë atje. Kjo është e trashëguar nga koha e UNMIK-ut, tani duhet të kalojmë në një etapë të re por nuk po ngutemi të themi se si do të veprojmë “, tha ai.

Haradinaj u ndal edhe te punët e MTI-së, duke thënë se duhet të përgatitet oferta për investime të huaja, por gjithashtu duhet të shqyrtohet mundësia që për disa toka të ndalet privatizimi, në mënyrë që ato t’u ofrohen investitorëve.

“Me nda një pjesë të tokës dhe me ia dedikuar investitorëve pasi nëse shitet e tëra, nuk kemi mundësi me sjellë investitor dhe me iu siguru lokacion. Është një situatë jo e lehtë me lejet e ndërtimit, procedurat janë shumë burokratike, zgjasin shumë, jemi në vendin e 140 sa i përket rangimit se me çfarë aspekti kohor kryhen. Pra ka disa tema që do t’i shqyrtojmë, ka pas një ligj por nuk e ka zgjedhur çështjen si duhet për shkak tarifave të larta që janë vendosur, besoj që do ta rishqyrtojmë këtë në mënyrë që të mund të sigurojmë bazë zhvillimore por edhe mundësi dhe nisje të mirë zhvillimore”, tha ai.

Kurse, ministri i Tregtisë, Bajram Hasani tha se kanë biseduar për punët që kanë bërë dhe planin se si do të veprojmë më tutje.

Ai tha se janë dakorduar që ta shtojnë dinamikën dhe ta shtyjmë planin e MSA

“U pajtuam që ta shtymë planin e MSA-së, aty ku bien punët e ministrisë sonë, natyrisht ne jemi koordinator të reformave ekonomike, udhëheqin me Task Forcën e të bërit biznes, kështu që na presin shumë punë për të bërë“, tha ai.

Haradinaj tha se me rishikimin e ligjit për naftën, MTI do të ketë një kompetencë më të lartë, kurse, për Brezovicën, tha se ka qenë një projekt shumë i madh, i cili nuk është realizuar por tani duhet të jemi më kreativ dhe të ketë një investim për një pjesë të caktuar, pastaj investimet tjera në periudha tjera./KosovaPress/

the authorE B